Yunus Emre Enstitüsü

Instituti Yunus Emre Shkodër mirëpriti koncertin e Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor

Instituti Yunus Emre Shkodër mirëpriti koncertin e Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor

Instituti Yunus Emre Shkodër mirëpriti koncertin e muzikës së dhomës të Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor (WBYO). Koncerti, i cili u zhvillua të dielën, më 9 gusht 2026, në orën 19:00, në oborrin e Institutit, bashkoi në Shkodër muzikantë të rinj nga vende të ndryshme dhe u ofroi dashamirësve të muzikës një mbrëmje të këndshme me repertorin e tij të pasur që shtrihej nga veprat e muzikës klasike te veprat e kompozitorëve turq dhe meloditë tradicionale.

Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor, e mbështetur nga shumë bashki dhe institucione, veçanërisht nga Bashkimi Evropian, vazhdon veprimtarinë e saj si një formacion ndërkombëtar që bashkon muzikantë të rinj nga vendet e Ballkanit. E themeluar në vitin 2019, orkestra zhvillon aktivitetet e saj me pjesëmarrjen e muzikantëve nga shumë vende dhe organizon koncerte çdo vit në shtete të ndryshme.

Në fjalën e tij hapëse, Koordinatori i Institutit Yunus Emre në Shqipëri, Oğuzhan Sakoğlu, tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e qasjes së Yunus Emresë, e cila bazohet në dashuri, tolerancë dhe vendosjen e njeriut në qendër, në veprimtaritë kulturore dhe artistike të Institutit. Sakoğlu theksoi se Instituti prezanton trashëgiminë kulturore të Turqisë në vende të ndryshme përmes aktiviteteve në fushën e kulturës, artit dhe letërsisë dhe se këto veprimtari kontribuojnë në diplomacinë kulturore. Duke nënvizuar se Turqia është pjesë e pandashme e Ballkanit, ai e cilësoi Orkestrën Rinore të Ballkanit Perëndimor si një platformë të rëndësishme bashkëpunimi që bashkon muzikantë të rinj nga vende të ndryshme dhe falenderoi artistët dhe të gjithë ata që kontribuan në realizimin e koncertit.

Pas Sakoğlu, fjalën e mori Drejtori Artistik dhe dirigjenti i Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor, Desar Sulejmani, i cili shprehu kënaqësinë e tij që performoi në skenë së bashku me muzikantët e rinj në Shkodër. Sulejmani falënderoi Institutin Yunus Emre për mikpritjen dhe mbështetjen e dhënë në organizimin e koncertit dhe vuri në dukje rëndësinë e bashkimit të artistëve të rinj nga vende të ndryshme në të njëjtën platformë muzikore. Pas fjalës së tij, muzikantët e rinj u ftuan në skenë dhe programi i koncertit filloi.

Në koncert u interpretuan jo vetëm vepra të përzgjedhura të repertorit të muzikës klasike, por edhe vepra të kompozitorëve turq dhe melodi tradicionale turke. Veprat e Ulvi Cemal Erkin dhe Nuri Sami Koral, si dhe pjesë të muzikës turke si “Çayeli’nden Öteye” dhe “Atabarı”, u interpretuan nga muzikantët e rinj. Në koncert morën pjesë muzikantë të rinj nga Turqia, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Italia, Gjermania, Greqia dhe Ukraina, ndërsa në skenë u paraqitën ansamble të muzikës së dhomës të përbëra nga grupe të ndryshme instrumentesh si instrumente me hark, frymore, frymore prej tunxhi dhe piano.

Koncerti tërhoqi interes të madh nga artdashësit në Shkodër falë performancave të suksesshme të muzikantëve të rinj dhe repertorit që bashkoi muzikën turke me trashëgiminë muzikore të vendeve të ndryshme. Programi i Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor në Shkodër bashkoi kultura të ndryshme në të njëjtën skenë përmes gjuhës universale të muzikës dhe me mbështetjen e Institutit Yunus Emre në Shkodër, kontribuoi në forcimin e ndërveprimit kulturor dhe lidhjeve midis Turqisë dhe Ballkanit.

Etkinlik Bilgileri

09 gusht 2026

İşkodra Yunus Emre Enstitüsü Bahçesi

Katılım Ücretsiz

Fotoğraf Galerisi

Bu içeriği paylaş

Son Faaliyetler

Kültür ve sanata dair güncel faaliyetlerimizi keşfedin.

Tümünü Görüntüle