Yunus Emre Enstitüsü

Java Kulturore Turke u Festua Me Entuziazëm Në Shqipëri

Java Kulturore Turke u Festua Me Entuziazëm Në Shqipëri

Me synimin për promovimin e kulturës turke në Shqipëri dhe forcimin e lidhjeve kulturore mes dy vendeve, Java Kulturore Turke, e zhvilluar këtë vit nga data 14 deri më 18 Shtator në qytetet Tiranë dhe Shkodër, u përmbyll me një sërë aktivitetesh të larmishme.

Në kuadër të Javës Kulturore Turke, e organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë, Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë, Institutin Yunus Emre, si dhe Bashkitë e Tiranës dhe Shkodrës, u zhvilluan aktivitete të ndryshme që përfshinë muzikën tradicionale turke, kinemanë, filma për fëmijë dhe takime me artistë. Aktivitetet e zhvilluara në Tiranë dhe Shkodër u ndoqën me interes nga artdashësit shqiptarë dhe publiku i moshave të ndryshme, të interesuar për kulturën turke.

Java e Kulturës Turke nisi me koncertin e Trios Telli Sazlar

Hapja e Javës Kulturore Turke u bë më 14 Shtator, të hënën, në orën 19:30, me koncertin e grupit Trioja Telli Sazlar, të zhvilluar në Sallën e Madhe të Koncerteve të Universitetit të Arteve në Tiranë. Gjatë koncertit u interpretuan vepra të përzgjedhura të muzikës popullore tradicionale turke, duke sjellë përpara artdashësve pasurinë melodike të muzikës turke dhe tingujt karakteristikë të instrumenteve me tela. Veprat, të frymëzuara nga traditat e ndryshme muzikore të Anadollit, i përcollën publikut shqiptar trashëgiminë kulturore të muzikës popullore turke përmes artit muzikor. Në koncert morën pjesë Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z.Bariş Ceyhun Erciyes, Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Marinela Prifti, Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Dr. Erald Bakalli, përfaqësues të misioneve diplomatike, përfaqësues institucionesh dhe një numër i madh artdashësish.

Trioja Telli Sazlar zhvilloi koncertin e dytë në kuadër të Javës Kulturore Turke më 15 Shtator, të martën, në Shkodër. Koncerti, i zhvilluar në ambient të hapur përpara Bashkisë së Shkodrës, tërhoqi interes të madh nga qytetarët shkodranë. Në aktivitet morën pjesë Prefektja e Shkodrës, Holta Duda, Nënkryetarja e Bashkisë, Teuta Qyteza, Drejtori i Shkollave Maarif, Harun Kocaman, Themeluesi i Shoqatës “Lëvizja e Mirësisë”, Kasım Alper Özdemir, si dhe një numër i madh artdashësish shkodranë.

Filma të suksesshëm të kinemasë turke u takuan me publikun shqiptar

Në ditën e tretë të Javës Kulturore Turke, publiku pati mundësinë të ndiqte një prej produksioneve të suksesshme të kinemasë turke, filmin “Për ne është Kampion”. Filmi, i cili pati një sukses të madh në shitjen e biletave në hyrje dhe u vlerësua me çmime dhe nominime në platforma të ndryshme prestigjioze, u shfaq më 16 Shtator, të mërkurën, në Kinema Republika në Shkodër. Shfaqja u ndoq me interes nga artdashësit shkodranë. Filmi trajton historinë e takimit të dy figurave të paharrueshme të historisë së garave me kuaj në Turqi: kalorësit Halis Karataş dhe kalit legjendar të garave Bold Pilot. I frymëzuar nga një histori e vërtetë, filmi përmes zhanrit biografik dhe dramatik sjell një tjetër dimension të kinemasë turke për publikun shqiptar.

Fëmijët u njohën me kinemanë e animuar turke

Programi i Javës Kulturore Turke vijoi më 17 Shtator, të enjten, në Tiranë, me një aktivitet të veçantë kushtuar fëmijëve. Filmi i animuar turk “Kulla e Enigmave:Misteri i Zogut Gjigant” u shfaq në Kinema Maks Velo për fëmijët dhe familjet. Shfaqja u ofroi fëmijëve dhe familjeve momente të këndshme dhe përbëri një aktivitet të rëndësishëm për përcjelljen e kulturës dhe kinemasë turke tek grupmosha të ndryshme. Filmi ndërthur elemente të aventurës dhe misterit. Personazhet fëmijë përpiqen të përballojnë së bashku vështirësitë dhe të zgjidhin misteret që u dalin përpara, ndërsa në qendër të historisë janë vlera të tilla si miqësia, solidariteti dhe ndihma e ndërsjellë.

Kübra Kip u takua me artdashësit në kuadër të filmit “Përkushtimi i Aslı”

Në ditën e fundit të Javës Kulturore Turke, filmi “Përkushtimi i Aslı”, me regji të regjisorit të njohur Semih Kaplanoğlu, u shfaq për artdashësit e Tiranës. Më 18 shtator, të premten, në orën 18:00, në Kinema Millenium, u shfaq filmi “Përkushtimi i Aslı”, i cili ishte përzgjedhur nga Turqia si kandidat për kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar” në edicionin e 92-të të Çmimeve të Akademisë Oscar.

Filmi dramatik i vitit 2019 fokusohet tek jeta e Aslıs, një nënë e re që përgatitet të rikthehet në jetën profesionale pas lindjes. Teksa kërkon dikë që të kujdeset për foshnjën e saj në mënyrë që të rikthehet në punë, Aslı njihet me Gülnihalin, e cila gjithashtu ka një fëmijë. Ky takim e përball protagonisten me pyetjet dhe realitetet nga të cilat ajo është përpjekur të largohet. Përmes temave të mëmësisë, jetës profesionale, familjes, përgjegjësisë dhe përballjes së individit me zgjedhjet e veta, filmi sjell një histori të fuqishme mbi jetën e përditshme. Pas shfaqjes së filmit, në orën 20:15, aktorja kryesore e filmit, Kübra Kip, u takua me artdashësit. Në takim mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z.Barış Ceyhun Erciyes.

Aktorja turke e teatrit, kinemasë dhe serialeve televizive, fituese e çmimit “Altın Portakal”, Kübra Kip, zhvilloi një bashkëbisedim me publikun mbi filmin “Përkushtimi i Aslı”, aktrimin, kinemanë dhe teatrin, duke iu përgjigjur pyetjeve të të pranishmëve. Bashkëbisedimi, i cili tërhoqi interes të madh nga artdashësit, u shoqërua me një diskutim mbi procesin krijues dhe përvojat e aktores në fushën e interpretimit. Shfaqja e filmit dhe bashkëbisedimi kontribuan në shndërrimin e aktivitetit në një takim kulturor dhe artistik, duke krijuar mundësinë që publiku shqiptar të lidhej drejtpërdrejt jo vetëm me kinemanë turke, por edhe me krijuesit dhe aktorët e saj.

Kontribut në forcimin e lidhjeve kulturore mes popujve turk dhe shqiptar

Java Kulturore Turke, e përmbyllur pas pesë ditësh me aktivitete në Tiranë dhe Shkodër, solli për artdashësit shqiptarë shembuj të ndryshëm të muzikës dhe kinemasë turke. Aktivitetet, të cilat bashkuan disiplina të ndryshme të kulturës dhe artit, kontribuan në forcimin e miqësisë së kahershme dhe marrëdhënieve kulturore mes Turqisë dhe Shqipërisë. Përmes koncerteve, shfaqjeve filmike dhe bashkëbisedimeve të zhvilluara në kuadër të Javës Kulturore Turke, pasuria dhe larmia e kulturës turke u prezantuan përpara një publiku të gjerë të grupmoshave të ndryshme në Shqipëri.

Fotoğraf Galerisi

Bu içeriği paylaş

Son Faaliyetler

Kültür ve sanata dair güncel faaliyetlerimizi keşfedin.

Tümünü Görüntüle